Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka njoftuar Komisionin parlamentar për integrim evropian lidhur me ecurinë e përgjithshme të agjendës evropiane, ndërkaq vlerësoi se lansimi i procesit të liberalizimit të vizave nuk është dhuratë nga Bashkimi Evropian, por rezultat i një pune të jashtëzakonshme të gjithë spektrit politik dhe shoqëror, si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivel lokal.
Ajo njoftoi se Plani i Veprimit për Partneritet Evropian 2012, përbëhet nga gjithsej 261 veprime, prej tyre 62 veprime janë paraparë në fushën e kritereve politike, 32 veprime në fushën e kritereve ekonomike dhe 167 për standardet evropiane.
Në njoftimin për media thuhet se temë qendrore e diskutimit ishte edhe procesi i dialogut për liberalizimin e vizave, me ç’rast u diskutua progresi në fushën e luftimit të migrimit ilegal, ri-integrimit të personave të riatdhesuar, menaxhimit efektiv të kufijve, themelimi i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian dhe reforma e administratës publike.