Jahjaga numëron ditët

As Atifete Jahjaga, njëjtë si dy ish-paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli, nuk do të mund ta çojë deri në fund mandatin e saj si presidente e Republikës së Kosovës.

Madje, ajo qysh tani ka filuar t’i numërojë ditët e qëndrimit të saj në krye të shtetit, për dallim nga dy paraardhësit që ishin “rrëzuar” nga ana e Gjykatës Kushtetuese, shkruan gazeta “Zëri”.
Me ndryshimet kushtetuese që pritet të ndodhin së shpejti, Jahjag mund të qëndrojë në krye të shtetit më së shumti edhe për gjashtë muaj pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve.
Anëtarët e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës thonë se në këtë formë ata do të respektojnë marrëveshjen mbi bazën e së cilës është zgjedhur presidentja dhe e cila e përcakton se pas hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese brenda gjashtë muajve do të shpallen zgjedhjet.
Anëtarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, ka thënë se deputetët e angazhuar për amendamentimin e Kushtetutës nuk do t’ia shkurtojnë mandatin presidentes Jahjaga, por do ta përcaktojnë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale duhet të mbahen brenda gjashtë muajve.