Ramush Tahiri, këshilltari i parë i presidentes Atifete Jahjaga, ka thënë se presidentja nuk është e interesuar që me çdo kusht të qëndrojë në këtë post deri në fund të mandatit të plotë pesëvjeçar. Tahiri ka thënë se Jahjaga është e vetëdijshme se është produkt i marrëveshjes ndërmjet tre liderëve partiakë, e arritur në prill të vitit të kaluar, por, sipas tij, Komisioni për ndryshime kushtetuese ka tejkaluar kompetencat.
Tahiri ka vlerësuar se marrëveshja nuk kishte saktësuar mandatin e Jahjagës, ose që kjo çështje të bëhet pjesë e Kushtetutës, apo pjesë e ligjit.
“Si këshilltar, nuk e kuptoj angazhimin e Komisionit për ndryshime kushtetuese për të tejkaluar kompetencat e marrëveshjes ndërmjet tre liderëve partiakë”, ka thënë Tahiri, duke komentuar ndryshimet kushtetuese që ndërlidhen me mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
Tashmë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës është duke shqyrtuar ndryshimet që janë bërë në Kushtetutë, për të sqaruar nëse pas këtyre ndryshimeve do të ishte kundërkushtetuese që t’i kërkohet presidentes Jahjaga që të ndërpresë përgjysmë mandatin për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.
Në fakt, kjo ishte paraparë në marrëveshjen ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, të arritur në prill të vitit të kaluar, por çështja është komplikuar pas ndryshimeve kushtetuese. Tashmë spekulohet se PDK-ja është duke punuar prapa skenës për të shtyrë zgjedhjet presidenciale. Kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht, megjithëse zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se do të ishin të gatshëm për ta rinegociuar marrëveshjen, nëse kjo do të ishte ‘për të mirën e qytetarëve’. Por, partitë e tjera e kanë kundërshtuar këtë mundësi.
Ndërkohë, Ramush Tahiri ka thënë se presidentja Jahjaga në çdo deklarim publik e ka bërë të qartë se do ta respektojë çdo marrëveshje ndërmjet partive.
“Mirëpo, unë mendoj se kushtetutshmëria duhet të zbatohet pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese duhet të vendos a bëhet precedent apo jo. Mendimi im është që nëpërmjet votës të mos vulgarizohet ajo që quhet kushtetutshmëri”, ka thënë Tahiri për “Tribuna Shqiptare”.