Nderohet vepra e dëshmorit të kombit, Ilir Konushevci

Në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në Prishtinë, është nderuar vepra e dëshmorit të kombit, gjeneralmajorit Ilir Konushevci, në 43 vjetorin e lindjes së tij.

Në manifestimin e organizuar për nder të ditëlindjes së dëshmorit Ilir Konushevci, morën pjesë familjarë të dëshmorit, zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, oficerë dhe bashkëluftëtarë të Ilirit.

Për veprën dhe heroizmin e dëshmorit foli zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, i cili tha se kontributi i Ilir Konushevcit gjatë luftës është shumë i madh, sidomos në organizimin dhe themelimin e Logjistikës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj në udhëheqjen e luftës si ushtar dhe si gjeneral.
“Vepra e gjeneral Konushevcit edhe sot është shembull për ne, se si duhet organizuar dhe furnizuar çdo ushtri, komandë, batalion dhe njësit. Edhe në të ardhmen gjeneral Ilir Konushevci do të mbetet shembull i organizatorit dhe strategut të shquar gjatë luftës sonë Çlirimtare. Ai do mbetet shembull edhe për ne pjesëtarët e FSK-së. Ne sot po përkujtojmë me pietet punën dhe veprën e tij të madhe, që dha për Lirinë e Kosovës”, tha Hazrolli.
Bashkëluftëtarët e familjarë, ushtarë dhe oficerë të FSK-së, vendosën lule dhe bënë nderime para bustit të dëshmorit të Kombit Ilir Konushevci.