Pa presion për reformën zgjedhore

Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk ka pasur kurrfarë presioni nga ndërkombëtarët për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje të përbashkët për caktimin e zonave zgjedhore. Nëse nuk ka konsensus ndërmjet partive për këtë çështje, atëherë propozimet do të shkojnë në Kuvend për t’u votuar. Kështu ka deklaruar të mërkurën kryetari i Komisionit për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet, Haki Demolli, pas takimit të rregullt që ka pasur me përfaqësuesit e tjerë të këtij komisioni.

Ndonëse në Komisionin për Reformën Zgjedhore ka shumë divergjenca në mes anëtarëve të partive politike për përcaktimin e zonave zgjedhore, kreu i këtij Komisioni ka thënë se nuk kanë pasur kurrfarë presioni ndërkombëtar për tejkalimin e kësaj situate, duke shtuar se i tërë ky proces është vendor.
I pyetur nëse PDK-ja po e bllokon procesin e reformave zgjedhore, Demolli nuk e ka komentuar një gjë të tillë, duke shtuar se të gjitha partitë duhet ta japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Duke pasur parasysh se pajtimi në mes partive për caktimin e zonave zgjedhore është i vështirë, Demolli ka thënë se nëse nuk arrihet ndonjë pajtim, atëherë nuk mbetet gjë tjetër, pos që propozimet të shkojnë në Kuvend, për miratim.
Edhe nëse alternativat e ndryshme shkojnë në Kuvend për miratim, Demolli nuk mendon se procesi i reformës zgjedhore është i dështuar,pasi, sipas tij,Kuvendi është ai i cili vendos për Projektligjin në tërësi.
Duke folur edhe për propozimet e LDK-së, parti prej nga vjen Demolli, ai ka thënë se LDK-ja është e përcaktuar për më shumë zona zgjedhore.
“LDK-ja ka qenë për versionin apo për variantin 10+zona, por është mjaft i përshtatshëm për LDK-në edhe varianti prej 26 zonave që nënkupton se të gjitha ish-komunat, apo komunat tradicionale të Kosovës, të cilat kanë një numër të elektoratit të mjaftueshëm për një mandat të caktuar në Kuvend, të jenë zonë e ndarë”, ka thënë ai.
Demolli ka shprehur besimin e tij se LDK-ja, në radhë të parë, do të dalë me një pako alternativash, të cilën e kanë aprovuar në kryesinë e kësaj partie, rreth së cilës, sipas tij, do të përafrohen të gjitha subjektet e tjera politike.