Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës së saj në Kroaci, dje qëndroi në qytetet Poreç dhe Rovinj, ku zhvilloi takime me komunitetin shqiptar të rajonit të Istrës dhe u njoh me organizimin dhe angazhimin e tyre. Ajo bisedoi me prefektin e Prefekturës së Istrës, Ivan Jakovic, si dhe me udhëheqës të tjerë lokalë, të cilët folën për kontributin e komunitetit shqiptar në këtë rajon të Kroacisë.
Jahjaga, duke iu drejtuar një numri të madh qytetarësh shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në rajonin e Istrës, tha se ka ardhur t’i vizitojë dhe që si Presidente e Kosovës t’ua përcjell përshëndetjet nga atdheu, t’i shohë dhe të bashkëbisedojë me ta, t’i ndajë hallet, si dhe të dëgjojë propozimet dhe sugjerimet e tyre.
“Ky është takim mes bashkëqytetarëve, bashkëfamiljarëve, bashkatdhetarëve dhe ne të gjithë sot këtu ndjehemi mirë dhe ne sot këtu kemi sjellë frymën e Kosovës. Kudo që jemi ne sjellim frymën e atdheut, se ne shqiptarët kudo që jemi, jemi bashkë, i gjendemi njëri-tjetrit, dhe jemi në miqësi me të gjithë popujt e tjerë, dhe miqësia me popullin kroat është miqësi shekullore”, tha Presidentja Jahjaga, citon “Zëri”.
Gjatë qëndrimit në Poreç ajo i komentoi deklaratat e presidentit të ri të Serbisë lidhur me Kosovën, duke thënë se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, shtet sovran, ka integritetin e saj territorial, të njohur ndërkombëtarisht”.
“Ne jemi në miqësi të fuqishme me SHBA dhe vendet e BE-së”, tha ajo.
“Zgjedhjet në vendet fqinje nuk ndikojnë në Republikën e Kosovës. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve dhe nuk do ketë shkëmbim të qytetarëve. E ardhmja e të gjitha shteteve të rajonit është në integrimet evropiane dhe kjo nuk ka alternativë tjetër”, tha Presidentja Jahjaga.