Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend, me theks të veçantë gjyqësorin, pasi që sipas tij, ka humbur shumë besimi në të.
Kurteshi në një intervistë për KosovaPress u kërkoi njerëzve të këtij sistemi të drejtësisë që ta respektojnë ligjin pa dallime.
Ai ka thënë se edhe pse zgjedhja e tij është politike, trajtimet e ankesave dhe sugjerimeve të ndryshme janë plotësisht të pavarura.
Ai ka thënë se edhe pse zgjedhja e tij është politike, trajtimet e ankesave dhe sugjerimeve të ndryshme janë plotësisht të pavarura.
Duke folur rreth rasteve të paraqitura në këtë institucion, Kurteshi tha se jo të gjitha rastet pranohen nga Avokati i Popullit për shkak të kompetencave.
“Ne kemi një numër të madh të rasteve që lajmërohen në institucionin e Avokatit të Popullit. Jo të gjitha rastet pranohen nga Avokati i Popullit, për shkak të kompetencave. Rastet që pranohen, ato pastaj trajtohen. Në përqindje mund të them se në dy vitet e fundit Avokati i Popullit ka arritur që ta ngrisë përqindjen e rasteve të zgjidhura pozitivisht nga institucioni rreth 25 për qind. Tash kemi mbi 50-60 për qind të rasteve që i zgjidhim pozitivisht”, tha Kurteshi.
Ndërkaq, në lidhje me sistemin e drejtësisë, avokati i popullit tha “Ndoshta këtu do të ishte më e drejtë të bëhet një diferencim. Në qoftë se i përgjigjem pyetjes drejtpërdrejt, ne konstatojmë se ka një humbje të besimit, edhe në sistemin e drejtësisë, por sistemi i drejtësisë është vetëm njëra shtyllë e pushtetit. Ka humbje të besimit në institucionet, ky është problemi dhe shqetësimi kryesor edhe i imi si avokat i popullit, për arsye se vetëm drejtësia është forca kohezive që mban një shoqëri bashkë. Prandaj shqetësimi jonë është shumë i madh, sidomos kur kihet parasysh se tash kemi filluar të ballafaqohemi edhe me rastet e parashkrimit të rasteve të paraqitura në sistemin gjyqësor. Kur flasim për sistemin e drejtësisë ne mendojmë në sistemin gjyqësor rastet e parashkrimit të lëndëve, ato nuk janë të pakta, ajo janë të shumta që mandej flet për sistemin gjyqësor se është në një gjendje të rëndë”.
Mirëpo, se a ka pasur presion gjatë kësaj kohe të ushtrimit të detyrës së avokatit të popullit, Kurteshi tha se presionet janë të natyrës institucionale.
“...Presione të tilla nuk ka, nuk ka ngjarë dhe nuk ka presione të tilla. Presion në të vërtetë janë të natyrës institucionale, mosplotësimi i kushteve dhe i kërkesave të Avokatit të Popullit për mjetet, pavarësia financiare, pavarësia buxhetore, çështja e imunitetit, mandej kërkesat për rritjen e numrit të bashkëpunëtorëve, sepse Avokati i Popullit, shikuar me kushtetutë dhe ligj, e ka një gamë aq të madhe të kompetencave saqë është e pamundur që të gjitha obligimet, detyrimet që dalin nga kushtetuta për Avokatin e Popullit të mbulohen me këtë numër të vogël të bashkëpunëtorëve”, tha ai.