Anëtarë të delegacionit të Komisionit për integrime evropiane i Kuvendit të Kosovës kanë theksuar se populli i Kosovës është i diskriminuar dhe i izoluar për shkak të mos heqjes së vizave, megjithëse BE-ja ka shënuar lëvizje lidhur me Kosovën.
Kështu kanë deklaruar anëtarët e Komisionit.... në takimin punues ndërparlamentar në Mal të Zi, me temë “Roli i parlamentit në procesin e negociatave të pranimit në BE”.
Delegacioni i Kosovës i prirë nga Lutfi Haziri, gjatë diskutimit të tyre në këtë samit foli për rolin e Parlamentit të Kosovës, duke theksuar faktin se ekziston një konsensus i të gjitha partive politike për të çuar përpara agjendën evropiane.
“Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane brenda këtij viti ka rekomanduar për seancë 34 ligje, ndërsa 26 ligje janë kërkuar nga Raporti i Progresit të KE-së që të miratohen gjate vitit 2012. Shumica nga këto ligje tashmë janë miratuar”, sqaroi Haziri.
U tha se aktualisht, Kosovën e pret një rrugë e gjatë dhe e mundimshme me reformat, të cilave u paraprijnë krijimi i ligjeve, por edhe forcimi i institucioneve që të zbatojnë ligjin.
“Kriteret për liberalizim të vizave të cilat ne duhet t’i përmbushim janë: siguria e dokumenteve, migracioni dhe menaxhimi i integruar i kufirit”, tha Haziri, duke sqaruar më tej se këto ditë në Kuvend do të jetë edhe Projektligji për Letërnjoftime Biometrike.
Në këtë samit u diskutua edhe për skepticizmin që ekziston lidhur me zgjerimin e BE-së, si dhe për sfidat ekonomike financiare me të cilat përballet BE-ja.