Ka arritur në Prishtinë Misioni fakt-mbledhës i Komisionit Evropian me qëllim të verifikimit të përgjigjeve të pyetësorit të Studimit të Fizibilitetit. Zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, bëjnë të ditur se interesimi i misionit fakt-mbledhës ndër të tjera do të jetë testimi i pyetjeve në fushën e krimit dhe korrupsionit.
Përgjigjet e studimit të fizibilitetit që institucionet e Kosovës i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, gjatë kësaj jave do të verifikohen nga një mision fakt-mbledhës i KE-së, i cili ka arritur në Kosovë. Zëvendësministri i integrimeve evropiane, Gëzim Kasapolli, thotë se misioni do të verifikojë nga afër gjendjen reale në Kosovë.
“Misioni fakt-mbledhës është në Kosovë dhe ai do të qëndrojë këtu për 4-5 ditët e ardhshme gjatë së cilës periudhë ata do të merren me analizimin e gjithë atyre përgjigjeve, të cilat ne i kemi dhënë në pyetjet e Komisionit, që kanë të bëjnë me paraqitjen e gjendjes faktike”, tha Kasapolli.
Sipas tij, vëmendje e veçantë e këtij misioni do të jetë pjesa ku flitet për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ky delegacion është duke u kryesuar nga përfaqësues të KE-së të lëmive të ndryshme, të cilët do të testojnë sidomos përgjigjet në pyetjet që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin, që kanë të bëjnë me fenomene negative dhe një paraqitje të komunave sa i përket çështjeve lidhur me riatdhesimin, riintegrimin”, tha Kasapolli, raporton RTK.
Delegacioni kryesohet nga shefi i njësisë për Kosovën në “DG Enlargement Laërence Meredith”, të cilët gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohen me zyrtarë të Qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komuniteteve. Rezultati nga ky mision do të publikohet në Bruksel në fazat e mëvonshme.