I vetëshpalluri agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Nazim Bllaca, në gjysmë të prillit kishte kërkuar nga kryeministri Hashim Thaçi që t’i jepen statusi i invalidit të luftës.
Në letrën publike që kishte dërguar Bllaca, ai e kërkonte këtë pasi që “ishte plagosur në luftë, dhe jo duke zhvilluar atentate kundër figurave të larta të LDK-së”.
Bllaca deklaroi se është plagosur në një aksion të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Indeksonline ka siguruar skicat të cilat Bllaca ia ka dorëzuar prokurorit Mauricio Salustro, në lidhje me këtë aksion.
Sipas këtyre dokumenteve, aksioni është zhvilluar saktë më 9 tetor 1998, në ora 23:45, në rrugën Shtime-Godanc, “i shoqëruar edhe nga 14 bashkëluftëtarë të UÇK-së”
Qëllimi i aksionit ka qenë të arrestoheshin tre vëllezërit Qerimi nga ky fshat, që sipas dokumenteve që ka ofruar Bllaca, akuzoheshin nga UÇK-ja se kanë qenë punëtorë të policisë serbe pas viti 1990.
Sipas deklarimeve të Bllacës, shënjestër ishin Fatmir, Bedri e Florim Qerimi (që të tre tash janë gjallë).
Bllaca në rrëfimin për Indeksonline sqaron se aksioni kishte dështuar, pasi dikush nga hartuesit e operacionit i kishte njoftuar paraprakisht vëllezërit Qerimi (por ende nuk e din se kush e bëri këtë).
Ai sqaron se me të mbërrit njësiti i UÇK-së për të arrestuar vëllezërit Qerimi, këta të fundit, duke qen në në dijeni për operacionin, kanë filluar të shtien në UÇK-në, ndërsa pas krismave ka ardhur edhe policia serbe. Në aksion është plagosur edhe Bllaca.
Pos dështimit të aksionit, Bllaca thotë se ka pasur edhe shkëputje të zinxhirit komandues, duke u anashkaluar nga Komandant “Çeliku” (Fatmir Limaj) dhe komandant “Luani” (Ramiz Qeriqi).
Për vendin, aksionin , plagosjen e tij dhe te dy shokëve të tij, Bllaca thotë se ka qenë i informuar edhe Hashim Thaçi, Azem Syla, Kadri Veseli dhe të gjithë përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK- së. Sepse, siç shkruan ai, “unë, Nazim Bllaca, nuk e kamë bërë këtë aksion krye në vete”.
