Reljic: Serbia në pozitë inferiore ndaj Kosovës

Beogradi nuk është në gjendje që të imponojë zgjidhje të reja për Kosovën, por duhet të reagojë varësisht nga qëndrimet e BE-së dhe SHBA-ve, thotë Dusan Reljic, ekspert i Institutit për Shkencë e Politikë në Berlin.

Kur është fjala te zgjedhjet e fundit në Serbi, Reljic thotë se Kosova nuk ka qenë temë e madhe në këtë fushatë.
“Në njërën anë, kjo ka të bëjë me faktin që partitë e mëdha e kanë kuptuar se hapësira manovruese e Beogradit është shumë e kufizuar për shkak të qëndrimeve të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, si: Gjermania, Britania dhe Madhe dhe Franca. Në anën tjetër, në Kosovë nuk ka pasur shumë vota për të fituar - rreth 100 mijë. Por, kjo nuk do të thotë që tema e Kosovës do të zhduket nga trualli politik”, thotë ai për DW.
Trajtimi i çështjes së Kosovës, sipas tij, varet nga siguria, stabiliteti dhe dinamika e zhvillimeve në Kosovë. Reljic thotë se në Beograd askush nuk është i interesuar që në Kosovë të ketë tendosje dhe shqetësime të mëdha, meqë Serbia do të koncentrohet në zgjidhjen e problemeve të saja ekonomike.
Politika e Serbisë, siç theksoi Reljic, varet nga qëndrimet e "lojtarëve të mëdhenj". Kështu, ai nuk beson se Beogradi do të prezantojë ndonjë strategji të re ndaj Kosovës.
“Beogradi nuk është në gjendje që të imponojë zgjidhje të reja për Kosovën, por duhet të reagojë varësisht nga qëndrimet e BE-së dhe SHBA-ve. Ndërkohë, në qoftë se vazhdohet me kërkesat që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, Beogradi është i varur nga mbështetja e Rusisë dhe Kinës në KS të OKB-së. Dhe, së fundi, Beogradi varet nga qëndrimet e Prishtinës dhe tonet eventuale agresive. Unë e shoh Beogradin aktualisht në një pozitë defensive sa i takon çështjes së Kosovës”.
Kreu i socialistëve serbë, Ivica Dacic, gjatë fushatës është angazhuar për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Analisti serb thotë se një qeveri serbe mund të kërkojë ndarjen e Kosovës, pas ta ndryshojë së pari Kushtetutën e vendit.
“Së dyti, aktualisht SHBA-të dhe vendet vendimtare evropiane janë strikt kundër ndarjes së Kosovës, sepse kanë frikë nga reflektimi i kësaj ndarjeje në Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë. Përshtypja ime është që në Beograd dhe Prishtinë ka relativisht shumë simpati për një marrëveshje, ndoshta jo formale por de facto, e cila do të nënkuptonte forcimin e linjës ndarëse. Si do të realizohet kjo, varet prej qëndrimeve në Bruksel dhe pozicioneve që do të kristalizohen gjatë dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.