Ndryshimi i kufijve do të prekte të paktën 6 shtete!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se nuk do të ketë këmbim të territoreve me Serbinë, dhe as nuk do të ketë autonomi speciale për serbët në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës ka thënë se kohërat e luftërave në Kosovë dhe në Ballkan kanë perënduar. “E tëra për çka unë luftoj është të ruajmë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si një vend i pavarur, por me kufij të hapur dhe të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë Thaçi për revistën Time.
Ai ka tërhequr vërejtjen se ndryshimi i kufijve do të kishte efekte zinxhirore. “Nëse dikush në Bruksel ka dalë me këtë ide për ndryshim të kufijve, atëherë kjo nuk do të ndalet vetëm në Kosovë ose në vendet fqinje. Do të vazhdojë në mbarë Ballkanin Perëndimor. Do të prekte të paktën gjashtë shtete. Secili shtet në rajon e ka nga një Mitrovicë të vogël brenda”, ka thënë mes tjerash kryeministri Thaçi