Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) duket se kanë aftësi të “jashtëzakonshme” pune. Në të njëjtën kohë kur ata ndodhen jashtë Kosovës, në zyrat e tyre në Prishtinë “nënshkruhen” dokumente të rëndësishme nga ta.
Kështu të paktën figuron në dokumentet zyrtare, të cilat i ka siguruar “Zëri”, ku vërehet qartazi se si Komisioni për Shtetësi, i përbërë nga zyrtarët, Islam Caka, Dukagjin Dinaj, Blerim Camaj dhe Drenusha Zeneli, ka nënshkruar vendime për lirim dhe dhënie të nënshtetësisë në kohën kur nuk kanë qenë fare në Kosovë.
Janë pikërisht këto dyshime që kanë shtyrë Departamentin Special Antikorrupsion të Policisë së Kosovës, që me autorizim të Prokurorisë Speciale t’i fillojnë hetimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ditë më parë “Zëri” ka raportuar se si hetuesit policorë kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që t’ua dërgojë komplet dosjen me të gjitha udhëtimet që katër zyrtarët e këtij dikasteri i kanë bërë gjatë periudhës 2010-2011 dhe gjithashtu, siç shkruan në kërkesën e policisë, “të gjitha lëndët e gjetura nga auditori i brendshëm ku janë gjetur shkeljet, auditori i datës 25.10.2011”.