Për të dytën ditë me radhë, Agim Hoti nga burgu i Dubravës ka deklaruar për shtypin e përditshëm se është autor i dy atentateve ndaj Presidentit Ibrahim Rugova.
Dje për gazetën “Express”, ndërsa sot për "Bota sot", Hoti thotë se për vrasjen në tentativë ka bërë pazar me Xhavit Halitin, nënkryetar dhe deputet aktual i PDK-së në Kuvendin e Kosovës e Artan Nimani, profesor universiteti si dhe Agron Haradinajt, i cili punon në PTK. Për këto pretendime ai thotë se ka fakte që do t'ua tregojë edhe hetuesve. Ndërkaq personat e apostrofuar këto deklarime i quajnë shpifje.
Agim Hoti, i cili është duke e vuajtur dënimin me burg për një atentat tjetër, në vitin 2007 ndaj Anton Berishës, ish shefit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), pretendon se ai vetë ka kryer edhe dy sulme të tjera, njërin në vitin 2004, e tjetrin një vit më pas. Të dy këto atentate ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
"Unë jam ai i cili e kam gjuajtur bombën më 12 mars të vitit 2004, në oborrin e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, me urdhër të Xhavit Halitit, Agron Haradinajt e Artan Nimanit", saktëson Hoti. Në të dyja gazetat më tej ai deklaron se sulmin tjetër që ka ndodhur një vit më pas ndaj ish Presidentit i ka kryer vetë, dhe me të njëjtit urdhra nga të njëjtit njerëz, transmeton Koha.
"E kam ndrequr dinamitin dhe e kam instaluar në një kontejner. Jam ulur në një qebaptore kinse për të ngrënë dhe me teledirigjues është aktivizuar, kur makina e tij ka kaluar andej".
Madje ai thotë se për të gjitha këto që thotë, ka edhe prova. "I kam të gjitha mjetet elektronike, kapsulat me të cilat është dirigjuar bomba, e të gjitha i kam", thekson Hoti. "Në parkingun e hotelit 'Grand', jam takuar me Artan Nimanin, i cili m'i ka dhënë të hollat për ta blerë topin e dorës. Prej asaj kohe e kam ruajtur Presidentin te varri i dëshmorit Afrim Vitia, rrugës për në 'Velani', thotë ai.
E pas shumë dështimeve dhe presioneve që Hoti thotë të ketë pasur, tregon se e kanë detyruar ta instalojë bombën te ndërtesa e "Sllovenia Sportit" në Prishtinë. "Një ditë para se Rugova të takohej me Solanën, unë kam shkuar në këtë pjesë të qytetit dhe kam bërë përgatitjet", sqaron Hoti.
"Për krejt këto i kam marrë 5 mijë euro. Jam paguar vetëm për sulmin e parë dhe për sulmin e dytë nuk jam paguar kurrë, pasi më kanë thënë se nuk e kam kryer punën deri në fund", thotë Hoti, duke shtuar se të gjitha këto që thotë, u qëndron prapa dhe ka vendosur t'i bëjë publike.
Agim Hoti thotë se është penduar për veprimet e tij sidomos ndaj Presidentit Rugova. Hoti thotë se ka qenë pjesëtar i SHISH-it (Shërbimit Informativ të Shqipërisë), madje tregon edhe se ka pasur shifrën 121 dhe ka kontaktuar me personin e quajtur Sokol Pago. Ai thotë se ka marrë para në dollarë nga SHISH-i.
Hoti thotë se gjithë pretendimet e tij do t'ia tregojë EULEX-it. Xhavit Haliti dhe Artan Nimani dje kanë hedhur poshtë pretendimet e Agim Hotit.