Investitorët kërkojnë heqjen e “Kosovës B” nga pakoja tenderuese

Disa nga konsorciumet që janë në garë për të investuar në projektin energjetik “Kosova e Re”, duket se nuk e dëshirojnë termocentralin “Kosova B” në pakon tenderuese, ashtu siç e ka miratuar Kuvendi i Kosovës. Kuvendi disa vite më parë e kishte futur “Kosovën B” në strategjinë energjetike të Kosovës, por që kishte pasur shumë reagime rreth përfshirjes së saj dhe sidomos për mënyrën se si ishte futur në kuadër të pakos tenderuese.

Burimet të Kohës Ditore kanë bërë të ditur se konsorciumet që janë në garë kanë pyetur për mundësinë që “Kosova B” të hiqet nga pakoja tenderuese. Por, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se zyrtarisht ende nuk është bërë një kërkesë e tillë. Janë katër konsorciumet e kualifikuara për të marrë pjesë në termocentralin “Kosova e Re”: Konsorciumi Adani Power/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-të dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania.
Komponentët kryesorë të këtij projekti janë: ndërtimi i një termocentrali të ri me kapacitet të instaluar prej 600 megavat, rehabilitimi i termocentralit “Kosova B”, si dhe hapjen e një mihjeje të re, e cila do të furnizonte me linjit termocentralet. Këto kompani do të kenë kohë që të parashtrojnë kërkesa e pyetje të ndryshme që kanë të bëjnë me projektin “Kosova e Re”, deri më datën 18 maj.
Tenderi për këtë projekt është hapur në fillim të muaji mars, kurse kompanitë kanë pasur më shumë se dy muaj kohë që të bëjnë kërkesa, vërejtje e sugjerime rreth pakos tenderuese të këtij projekti. Por, duket se as kjo kohë nuk i ka mjaftuar kompanive për komentimin e pakos tenderuese, pasi ato kanë kërkuar që kjo kohë të shtyhet edhe për një afat.
Gjatë këtyre dy muajve ka pasur shumë pyetje, të cilat nuk bëhen të ditura nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila e udhëheq Komitetin Drejtues të këtij projekti. Por, tema më e nxehtë duket të ketë qenë termocentralin “Kosova B”, e cila ishte futur në një pako tenderuese me një vendim të Kuvendi të Kosovës.
Përveç shumë pyetjeve rreth Kosovës B, konsorciumet që janë në garë për këtë projekt kanë pyetur edhe për mundësinë që ky termocentral të mos përfshihet në pakon tenderuese.