Një izraelites i janë dashur dy ditë që ta gjejë dikë që t’i besojë se aksidentalisht kishte gëlltitur një brushë dhëmbësh rreth 20 centimetra të gjatë.
Pasi është refuzuar nga mjekët e parë ku është paraqitur, doktorët në Qendrën mjekësore në Haifa e kanë marrë seriozisht rastin e saj dhe ia kanë nxjerrë brushën.
Pasi ka përfunduar punën, 24-vjeçarja ishte kthyer në shtëpi dhe duke larë dhëmbët, është përkulur që të marrë ujë nga rubineti me brushën në gojë, ndërsa për shkak të këndit, brusha nga goja ka kaluar në ezofag dhe më pas në lukth.
Ajo fillimisht ka provuar të vjellë, por pa sukses. Është paraqitur në një spital, por fotografia e rëntgenit nuk ka treguar asgjë.
Përkundër se vajza ka kërkuar bërjen e testeve tjera, mjekët e kanë dërguar në shtëpi me mendimin se ka parë ëndërr ose nuk është normale.
Të nesërmen dhimbjet kanë vazhduar, ndërsa vëllai i saj e ka dërguar në një spital tjetër. Sërish është fotografuar dhe ekzaminuar me ultrazë, por nuk është zbuluar asgjë. Vetëm CT-ja (tomografia e kompjuterizuar) e ka zbuluar ekzistimin e brushës.
Brusha është nxjerrë nga kirurgët pas operacionit me anestezion të përgjithshëm.