Abetarja i bashkon shqiptarët

Në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kosova dhe Shqipëria dhe shqiptarët anembanë trojeve kanë një abetare të përbashkët, e cila u promovua në qytetin e Prizrenit, kryeqyteti shpirtëror i bashkimit të shqiptarëve. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e cilësoi abetaren e përbashkët si kryevepër të dijes që i dhurohet kombit shqiptar. Ndërsa kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi e konsideroi këtë si ditë historikë për kombin shqiptar.

“Sot është një ditë historike për kulturën dhe kombin shqiptar. Sot po prezantojmë Abetaren e përbashkët. Kjo është arritje historike, është abetarja e parë e përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën. Jo rastësisht jemi mbledhur sot në Prizren. Por shpirtërisht shqiptarët kudo që jetojnë janë me ne, janë në Prizren për abetaren e përbashkët. Jemi mbledhur në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në qytetin e mesazhit historik dhe të drejtë për bashkimin në një shtet të vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Sot po promovojmë Abetaren e përbashkët. Kjo është fitore për të gjithë shqiptarët, që mund ta arrijë vetëm një popull i qytetëruar”, deklaroi sot në Prizren kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në ceremoninë e organizuar në Qendrën e Sportit “Sezai Surroi”, ku ishin të pranishëm presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha dhe zyrtarë të lartë të dy vendeve, Thaçi vlerësoi punën e madhe të rilindësve shqiptarë dhe autorin e abetares së parë Naum Veqilharxhin.
“Në themelet e Rilindjes sonë Kombëtare qëndron themeluesi i abetares së parë, Naum Veqilharxhi, andaj ne sot nderojmë të gjithë autorët e parë të librave të shkollës shqipe.
“Pas 100 vjetësh sot shteti shqiptar është shtet i lirë, anëtar i NATO-s dhe me aspiratë për t’u integruar në BE”, tha Thaçi, transmeton NOA.
Ai nënvizoi se Kosova ka të ardhme të ndritur, dhe kjo e ardhme është në BE.
“Ne kemi hedhur pas një të kaluar që nuk do të kthehet më kurrë në asnjë formë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me institucione të dala me vullnetin e saj. Kjo abetare është shprehje e lirisë dhe zhvillimit në hapësirën shqiptare, është shprehje e ndërgjegjes së kombit, abetare e lirisë, e Shqipërisë evropiane, e Kosovës evropiane, abetare e të gjithë shqiptarëve evropianë”, vlerësoi kryeministri i Kosovës.
Ndërsa , kryeministri Sali Berisha, duke falënderuar autorët për këtë punë tejet të çmuar, e cilësoi Abetaren e parë të përbashkët si kryevepër të dijes.
Berisha u bëri me dije fëmijëve që do të marrin në duar këtë abetare të re se abetarja e përbashkët mbart në vetvete idealin e bashkimit të shqiptarëve si ideal përjetësie.
“Ju falënderoj që zgjodhët kryeqytetin shpirtëror, kryeqytetin e idealit kombëtar të bashkimit të shqiptarëve, Prizrenin për promovimin e abetares së përbashkët. Ju ftoj të prini në këtë rrugë. Rruga e dijes është rruga dritës, për të cilën kanë më shumë nevojë se për çdo gjë tjetër shqiptarët. Të dashur fëmijë, libri që ju merrni sot është abetarja më e re që botohet në trevat shqiptare. Së bashku me germat, figurat e mrekullueshme, ajo mbart ëndrrën e dhjetëra qindra gjeneratave, sakrificat e shqiptarëve që nga kohërat e Skënderbeut deri në lufëtrat çlirimtare në Kosovë e Maqedoni, mbart idealin e bashkimit të tyre si ideal i përjetësisë së tyre”, theksoi kryeministri.
Berisha nënvizoi se abetarja e përbashkët shënon arritjen historike për mbrojtjen e kulturës shqiptare.
“Abetarja, nuk duhet të harroni kurrë se ka jo vetëm ëndrrën, por ka edhe qindra mijëra jetë të flijuara, me qëllimin që ne si komb të ndërtojmë të ardhmen tonë në liri, të vendosur në të ardhmen tonë evropiane. Kombi shqiptar kurrë s’ka qenë më i bashkuar në të ardhmen e tij që meriton se sot. Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes i bënë popullit. Abetarja është hapi i parë i madh. Projekte të tjera duhet të vazhdojnë që ta shtyjnë kombin drejt hapësirave të reja. Asgjë nuk kemi në shpirt më të bukur se gjuhën tonë amtare. Le ta shndërrojmë atë në tekstin tonë kryesor. Le të bëjmë gjithçka që gjuha shqipe të jetë lënda më eprore e sistemit tonë shkollor”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu se abetarja e përbashkët është shprehje e vendosmërisë së shqiptarëve për të punuar të bashkuar në projektin e madh evropian, dhe për të ndërtuar vlerat e mëdha të qytetërimit evropian dhe me përkushtim për paqen.
Ai i bëri thirrje nga Prizreni, fqinjëve të shqiptarëve, që të çlirohen nga shqiptarofobia, pasi shqiptarët janë komb që dinë të ruajnë miqësinë”.
Më 24 prill ishte përzgjedhur teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Teksti ka katër autorë, dy nga Shqipëria, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj si dhe dy nga Kosova, Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu. Ndërsa grafika është realizuar nga Lorenc Buzi.
Përzgjedhja është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësues të dy vendeve. Në garë ishin 13 Shtëpi Botuese, nga të cilat fituese është shpallur Shtëpia Botuese “Pegi” dhe shoqëria “Dukagjini”.