Finlanda, raporte te veçanta me Kosovën

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Suedi, i akredituar si ambasador jo rezident në Finalndë, Lulzim Peci, në një audiencë solemne në pallatin presidencial në Helsinki i dorëzoi sot letrat kredenciale presidentit të Finlandës Sauli Niinisto.

Ambasadori Peci i përcolli Presidentit Niinisto përshëndetjet e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe dëshirën e saj për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera në mes të dy vendeve.
Duke falënderuar Presidentin Niinins për përkrahjen e gjithanshme që Finlanda i ka dhënë Kosovës, Peci theksoi se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë prioritet i lartë i politikës së jashtme të Kosovës, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ai e informoi Presidentin Niinisto për progresin e gjithmbarshëm të arritur në Kosovë dhe sfidat në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë.
Presidenti Niniisto i përcolli përshëndetjet e tij për Presidenten Jahjaga dhe theksoi se Kosova ka vend të veçantë në zemrat e finlandezëve. Ai i cilësoi marrëdhëniet në mes dy vendeve si të karakterit të veçantë dhe e siguroi ambasadorin Peci se Finlanda do të vazhdojë të përkrahë fuqimisht Kosovën.
Ambasadori Peci, në fund të audiencës, u falënderua për përkrahjen e Presidentit Niinisto dhe shprehu përkushtimin e tij në përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera në mes dy vendeve me një miqësi tanimë të rrënjosur.
Me aktin e dorëzimit të letrave kredenciale Presidentit Niinisto, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stockholm e mbulon Republikën e Finlandës si mision diplomatik jorezident i akredituar në Helsinki.