Salihaj, porosi Thaçit, Ferizajn e ke të humbur

Kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj, Adem Salihaj, njëherësh kandidat për kryetar komune në këtë komunë, shpalosi të hënën programin me të cilin do të qeveriset komuna e Ferizajt në rast se ai do të fitojë. Ai tha se do të bëj shumë ndryshime dhe se do të jetë i pakompromis në luftën kundër krimit të organizuar.

 “Unë ju premtoj një zhvillim të mirfillt për kushte më të mira dhe lehtësime të bizneseve, me qëllim që të hapen vende të reja pune për të rinjtë e komunës sonë. Ne do të punojmë me përkushtim ashtu siç kemi punuar dikur dhe një nga një do ti zgjidhim problemet tuaja, problemet e infrastrukturës, siç janë rrugët, kanalizimet, ujësjellësit, do të jenë në fokusin e vëmendjes sonë. Poashtu do të punojmë shumë që ta përmirësojmë gjendjen në arsim, shëndetësi, kulturë rini dhe sport”, tha Salihaj.
“Hajnia korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë marrë aq shumë hov sa që qytetarët e kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës. Unë, ju premtoj se lufta ime kundër krimit të organizuar do të jetë e pakomromis”, tha Salihaj duke e porositur liderin e Partisë Demokratike, kryeministrin Hashim Thaçi, se ‘as Lipjani, as Gjilanin, e as vjedhja dhe manipulimi i zgjedhjeve, nuk do ta shpëtojë atë nga humbja e sigurt në Ferizaj”.