Kontributet pensionale deklarohen në mënyrë elektronike

Duke filluar nga 1 maji punëdhënësit në vend do të mund të kryejnë procesin e deklarimit të kontributit pensional dhe tatimit në paga në mënyrë elektronike.

“Përfaqësuesit e bizneseve nuk do të kenë më nevojë të bëjnë raportime tremujore, e as mbushje të disa formularëve për deklarim. Gjithçka mund të kryhet duke u regjistruar në ueb-faqen e ATK-së dhe duke ngarkuar çdo muaj një format standard të deklarimit me të dhënat e nevojshme”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, procesi i ri gjithsesi se do të marrë shumë më pak kohë dhe bizneset nuk do të kenë shpenzime. Kurse do të jetë edhe në të mirë të kontribuuesve pensionalë, pasi do të kufizohet në minimum mundësia e mungesës së informacionit në emër të kujt paguhen kontributet pensionale, një problem jo pak i vogël ky në të kaluarën.
Këto ndryshime është e pritshme se do të ndikojnë për mirë edhe në raportin mes ATK-së dhe sipërmarrësve, duke ulur ndjeshëm burokracitë dhe kostot e të bërit biznes në Kosovë. Kurse Trusti do të ketë informacion më të saktë dhe në kohë për kontribuuesit dhe kursimet e tyre pensionale.
E gjithë kjo do të bëhet e mundur falë sistemit të ri të ndërtuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në bashkëpunim me Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti).
Por projekti për deklarimin elektronik të kontributeve pensionale dhe tatimit në paga duke filluar nga 1 maji 2012 do të jetë fillimisht mundësi alternative e deklarimit, e nuk do të jetë domosdo e vetmja formë e deklarimit të bizneseve. Forma aktuale e raportimit, përmes formularëve të posaçëm dhe raportimit tremujor, do të mund të përdoret deri në fund të muajit korrik. Kjo periudhë tremujore do të jetë parapërgatitore, informuese e vetëdijesuese për punëdhënësit deri në kalimin e plotë dhe të vetëm në sistemin e deklarimit elektronik.
Duke filluar nga 1 gushti 2012 asnjë raportim a deklarim tjetër për kontributin pensional dhe tatimin në paga, përveç deklarimit elektronik përmes ueb-faqes së ATK-së, nuk do të mund të përdoret nga bizneset.
ATK dhe Trusti ftojnë përfaqësuesit e bizneseve që të ndjekin njoftimet që do të bëhen publike në medie për këto ndryshime, dhe të konsultojnë udhëzuesit e të kontaktojnë ATK-n për të marrë informacione shtesë për mënyrën e përdorimit të deklarimit elektronik, thuhet në njoftimin e TRUST-it.