“Të shpallen të pavlefshëm ditarët e ‘X’-it”

Mahmut Halimi, avokat mbrojtës i Nexhmi Krasniqit, ka vazhduar edhe të enjten me paraqitjen e argumenteve, të cilat sipas tij e vërtetojnë të kundërtën e atyre që janë shënuar në ditarët e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”.

Ai ka kërkuar nga trupi gjykues që deklaratat e dhëna nga “X”-i, të njohura në dosje si “B1” deri në “B9”, të shpallen si të papranueshme. Halimi thotë se ato janë marrë në cilësinë e të pandehurit dhe, si të tilla, në bazë të juridiksionit duhet të shpallen si të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës, raporton “Kosovapress”.
Avokati i është ankuar trupit gjykues se pikërisht deklaratat “B1” deri në “B9”, të dhëna nga Agim Zogaj në zyrën e Prokurorit Special të EULEX-it, në cilësinë e dëshmitarit, janë përdorur nga prokurori dhe janë futur përsëri në lëndë edhe pse ai nuk ka pasur të drejtë pasi që Prokurori Special i ka mbyllur ato në një zarf special. Ndërsa, sipas ligjeve në fuqi, “ato nuk mund të përdoren nga asnjëra palë në proces”.
Halimi, duke marrë parasysh se në deklarimet e “X”-i janë të përfshira edhe pjesë nga ditarët e tij, ka kërkuar nga trupi gjykues që deklaratat e marra në cilësinë e të pandehurit, së bashku me ditarët, të hidhen poshtë dhe të veçohen nga shkresat e lëndës.
Ai sot ka folur edhe për nevojën e një ekspertize të grafologjisë së ditarëve të dëshmitarit “X”. Sipas tij, po të bëhej kjo ekspertizë nga prokurori në fazën e hetimeve kur mbrojtja e ka kërkuar, atëherë “nuk do të ishim në këtë proces dhe as që do të kishte nevojë për një aktakuzë të tillë”.
“Kam pasur rastin t’i shoh origjinalet e ditarëve të Agim Zogajt, në të cilat shihej se nuk ishin të shkruara nga një dorë dhe shiheshin qartë intervenimet e freskëta në to, sidomos në vendosjen e emrave të të pandehurve”, ka thënë Halimi para trupit gjykues.