Macja garon për në Senat

Votuesit në SHBA kanë mundësi të zgjedhin një kandidat të veçantë për një ulëse në Senat- pasi macja Hank ka hyrë në garën zgjedhore.

Ish-macja e rrugëve, nëntëvjeçare, e cila ka prani të fuqishme në Facebook dhe Twitter, si dhe ka faqen e vet zyrtare, kërkon votën në Virginia.
“Kur të zgjidhem në Senat, do të punoj shumë që të sigurohem që të ketë qumësht në secilën enë te i gjithë kombi”, shkruan në faqen zyrtare të Hank.
Krahas maces, në garën zgjedhore janë dy ish-guvernatorë të Virginias, republikani George Allen dhe demokrati Tim Kaine.
Hank e di në se çelësi i një Amerike më të mirë dhe një të ardhme më të ndritshme është krijimi i vendeve të punës, të cilat do të përmirësojnë rrugët, qytetin, shtetin dhe kombin- thuhet në spotin promovues të maces kandidat, ndërsa transmeton Washington Post.
Kampanja të tilla zgjedhore nuk janë të pazakonta në SHBA, madje kanë rezultuar të suksesshme. Një qen me emrin Bosco Ramos ka shërbyer si kryebashkiak i Sunolit të Kalifornisë gjatë viteve të tetëdhjeta.