Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk dashur t’i komentojë deklaratat e kryeministrit Thaçi, rreth mundësisë së lëvizjes së kufijve dhe për atë që kryeministri ende nuk e ka takuar deputetin e PDK-së, Fatmir Limaj, pas lirimit nga arrestit shtëpiak, duke thënë se për këtë duhet të pyetet vet kryeministri.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi, sot, i pyetur rreth deklaratave të kryeministrit, Hashim Thaçi, që kufiri i Mollës së Kuqe dihet ku është, por për këtë duhet të marr vendim Kuvendi i Kosovës, Krasniqi, pa dashur ta komentojë, ka thënë shkurt: “Pyeteni kryeministrin! Jo nuk kam koment”.
Ndërkohë me lirimin e deputetit, Fatmir Limaj nga arresti shtëpiak, menjëherë është zhvilluar një takim mes tij dhe kryekuvendarit Krasniqi. Por, kabineti i kryeministrit ka sqaruar se nuk ka zhvilluar ende një takim kryeministri Thaçi me deputetin Limaj, pasi siç kanë thënë ata është shkelje e procedurave, ngase ende nuk është vendimi përfundimtar i gjykatës. Krasniqi nuk dëshiroi të komentojë rreth mungesës së takimit të këtyre dy zyrtarëve të lartë të partisë së tij, por ka thënë se gjykata ka liruar nga arresti shtëpiak dhe nuk ka asgjë të parregullt, raporton Kosovapress.
Shpallja datës së zgjedhjeve presidenciale është në dorën e kryetarit të Kuvendit dhe kur është pyetur se a do të shpall zgjedhjet këtë vit, Krasniqi është zotuar se do të respektojë Kushtetutën e vendit.
Ndryshe në mbledhjen e kryesisë të mbajtur sot është vendosur që seanca të mbahet më 29 mars, ku në rend të ditës do të jenë shqyrtimi i disa projektligjeve.