Ne duam që të integrohemi edhe si komb në një shtet edhe si shtet në Bashkimin Evropian. Mirëpo, Kosova abnormale nuk do t’i shërbejë as qëllimeve të veta dhe as atyre të Bashkimit Evropian, ka thënë Albin Kurti në Mbledhje e Katërt të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!.
Kurti thotë se Kosova nuk është shtet normal, sepse është shtet i dobët, me protektorat ndërkombëtar e pa ushtri të veten, me Mitrovicën e ndarë dhe varfërinë më të madhe në Evropë.
“Me dialogun në Bruksel që e ka rritur abnormalitetin e shtetit të Kosovës, ka përfituar shteti i Serbisë në kurriz të Kosovës dhe pushteti në Kosovë sërish në kurriz të Kosovës. Me lëshimet pe në Bruksel ndaj Serbisë, Qeveria e Kosovës fitoi vizita të zyrtarëve të saj në Bruksel. Kosova s’fitoi asgjë dhe gjithsesi humbi shumë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Kosova e ka lëshuar shansin unik që ta kushtëzojë Serbinë, dhe se Serbia po i shfrytëzon marrëveshjet me Kosovë për të ecur drejt anëtarësimit të saj në BE.
“Pa këtë Qeveri të Kosovës që po i rri gatitu Serbisë, kurrë s’do të mund ta merrte Serbia statusin e vendit kandidat. E, historia na e ka dëshmuar, që sa herë forcohet Serbia, këtë forcë ajo e përdor së pari kundër shqiptarëve”.