Mbajtja e referendumit në komunat e veriut kundërshtohet edhe nga deputetja e Listës Unike Serbe (JSL), Rada Trajkovic, e cila thotë se serbët e asaj pjese me këtë referendum nuk janë duke e ditur as çka janë duke kërkuar.
“Të jem e sinqertë, unë u takoj atyre që janë të ashpër kundër referendumit dhe për këtë në kontinuitet loboj në kuptimin që të bindim serbët e veriut që këtë të mos e bëjnë, sepse nuk e di se çka do të fitojnë nga ai referendum”, ka thënë Trajkovic në një intervistë për agjencinë bullgare BgNews, ndërsa është tallur edhe me zëvendëskryeministrin serb Ivica Dacic, duke e quajtur si një person nën ndikimin e alkoolit.
“Ivica Dacic në kontinuitet ka një varg deklaratash, të cilat ngjajnë më shumë me parulla se sa në deklarata serioze, prapa të cilave qëndron një strategji. Më duket kjo si një parullë parazgjedhore. Më besoni marrë parasysh pozicionin e tij, të cilën e ka dhe është mjaft serioz, është zëvendëskryeministër, nganjëherë mendojë mos ky njeri është nën ndikimin e alkoolit”, ka shtuar ajo.
Duke folur për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Trajkovic ka thënë se ky dialog dërgon në një ‘status quo’ e re, që nënkupton një relaksim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Unë mendoj që këto bisedime teknike midis Prishtinës dhe Beogradit janë një hap para. Ato janë të vështira edhe për njërën palë edhe për tjetrën, por unë mendoj se këto nuk sjellin te ndonjë pranim shtetësie. Unë mendoj se këto bisedime çojnë kah një “status quo” e re, që do të mundësojë një relaksim raportesh midis Beogradit dhe Prishtinës, relaksim të gjithë rajonit që mendoj se është pozitive për popullin, pasi nëpërmjet tyre do të ketë një funksionim më relaksues në gjithë rajonin”, ka thënë Trajkovic, ndërsa transmeton Kosovapress.
E pyetur se a kanë bërë gabime Prishtina apo Beogradi kur është fjala për komunitetin serb, Trajkovic ka thënë se të dyja palët kanë bërë gabime. Sipas saj, Beogradi ka gabuar, duke kërkuar ndarje të Kosovës, ndërsa Prishtina duke tentuar t’i bindë serbët të pranojnë pavarësinë.