Kosova ka resurse të rëndësishme

Presidentja Atifete Jahjaga ka takuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë, Infrastrukturës, Komunikacionit dhe Teknologjisë në Bavari, Martin Zeil.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe lidhur me mundësitë e bashkëpunimit mes Landit të Bavarisë, ndër pjesët më të përparuara ekonomikisht, dhe Kosovës, me theks të veçantë për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.
Jahjaga ka theksuar se Kosova ka resurse të rëndësishme që janë atraktive për investitorët: potencial të pasur njerëzor, të përgatitur për të qenë konkurrentë në ekonominë globale, dhe normat e tatimeve ndër më të ulëtat në Evropë, parakushte këto të rëndësishme për bizneset e huaja që të hapin degët e tyre në Kosovë.
“Vendi ynë është përcaktuar për një ekonomi të tregut dhe për ofrimin e shanseve të barabarta për të gjithë investitorët”, ka deklaruar presidentja, e cila gjithashtu e njoftoi Zeilin lidhur me situatën politike dhe për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë.
Martin Zeil, nga ana e tij, u zotua për identifikimin e fushave të bashkëpunimit, duke përmendur se tashmë 110 kompani bavareze veprojnë në Kosovë.