Europarlamentari gjerman, Bernd Posselt ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si e vetmja mundësi që shteti më i ri evropian të shkojë përpara.
Ai në një intervistë dhënë për “Zërin” thotë se Kosova ka bërë progres në disa fusha, derisa kërkon edhe më shumë punë nga kosovarët.
Posselt vlerëson se pavarësisht që Policia e Kosovës arrestoi tre pjesëtarë të BND-së (shërbimit sekret gjerman), marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë vazhdojnë të jenë shumë të mira.
Europarlamentari Posselt, i cili njihet si mbështetës i pavarësisë së Kosovës, ka folur edhe për kosovarët që jetojnë në Gjermani dhe në vende të ndryshme të BE-së.
“Unë mendoj që duhet shumë shpejt liberalizuar gjërat në interesin e kosovarëve që jetojnë në vendet tona. Ata janë shumë të vlefshëm për shoqërinë tonë”, ka thënë Posselt.