Këshilli i ministrave për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian, e ka shtyrë për disa orë vendimin final për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë, pasi Rumania ka kërkuar që të ketë garantime shtesë se Beogradi në mënyrë të rregullt do t’i zbatojë ligjet për pakicat kombëtare.
Këtë për gazetarë e tha një zyrtar, i cili merr pjesë në takim, duke shtuar se “nuk është krejtësisht e qartë se çka dëshiron Rumania”, raporton Rel.
Ai mëtutje ka shpjeguar se Komisioni Evropian ka ofruar që me deklaratë të veçantë të theksohet se me kujdes do të ndiqet se si zbatohen ligjet dhe politika e Serbisë ndaj pakicave kombëtare.
Ky zyrtar ka thënë se Polonia dhe Lituania më nuk paraqitur kurrfarë vërejtjesh në vendimin e pritur të Këshillit të ministrave, që liderëve të BE-së t’u propozojnë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë.
Në këtë takim, pesë vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë kërkuar që në konkluzionet e mbledhjes të theksohet se “është marrë në dijeni synimi i Komisionit Evropian”, që të përgatitet studimi i fizibilitetit për marrëveshjen për stabilizim asocim të BE-së me Kosovën.