Kanë grumbulluar rreth 200 milionë euro kapital nga funksionimi i tyre që nga paslufta, falë kamatave të larta në kreditë që i kanë dhënë për zonat rurale dhe duke qenë të liruar nga pagesa e taksave, pasi që kanë qenë të regjistruara si Organizata Joqeveritare. Tashmë institucionet mikrofinanciare po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të shndërrohen në banka, ku do t’i mundësohet që të pranojnë edhe depozita, e jo të japin vetëm kredi, siç kanë funksionuar deri më tani.
Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financave, të mbajtur më 8 shkurt 2011, në dëgjimin publik për Ligjin për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet fi nanciare jobankare, anëtarë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) kanë dhënë vërejtje të shumta sidomos për nenet 111 dhe 112 të Ligjit të Bankat, ku flitet për krijimin e bankës nga një institucion mikrofinanciar, shkruan Zëri.
Mejdi Bektashi, anëtar i Bordit të BQK-së, sipas transkriptit të Kuvendit që e posedon edhe gazeta “Zëri”, ka thënë se pajtohet që një institucion mikrofinanciar që posedon kapitalin e nevojshëm mund të shndërrohet në bankë të licencuar nga BQK, mirëpo, sipas tij, është e pakuptimtë që licencimi të shkojë nëpërmjet një procedure të veçantë.