Negociatat në kolaps, Berlini nervor

Deri te vendimi për ndarjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, Serbisë i kanë mbetur edhe dy javë. Ndërsa, data e re e raundit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, ende nuk dihet. Sa më shumë po vonohet kjo, aq më shumë po shtohet edhe nervozizmi i Gjermanisë. Prandaj, kandidatura serbe mund të shtyhet deri në fund të vitit 2012.

Dialogu duhet çojë në marrëveshjen për përfaqësimin e Prishtinës në takimet rajonale, që është edhe kushti për Serbinë për ta fituar statusin e kandidatit.
Në Këshillin Evropian kanë thënë se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.
“Po punojmë në përgatitjen raundin të ardhshëm, por në këtë moment nuk ka datë”, ka thënë për ditoren serbe, Maja Kocijancic, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane.
Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanoviq, ka thënë se po vazhdojnë konsultimet, por se nuk dihet data, meqë "Prishtina po i hedh poshtë propozimet”.
Ekipet e Prishtinës dhe Beogradit nuk do të takohen as këtë javë, por një zhvillim i tillë mund të jetë problematik për shkak të sinjaleve të dërguara nga Berlini zyrtar se nuk do të lëshoj pe nëse marrëveshja arrihet në çastin e fundit, në prag të takimit ministror (siç ishte rasti me dhjetorin kaluar).
Nëse Gjermania vazhdon me këtë qëndrim edhe në të ardhmen, sipas disa njoftimeve që kanë rrjedhur në publik, diskutimet për kandidaturën serbe mund të ndodhin në dhjetor.
Nga Brukseli Beogradi paralajmërohet se koha po rrjedh. Ndërsa, të dy palët ftohen të shprehin “vullnet të mirë” që të arrijnë marrëveshje rreth së cilës janë caktuar rregullat kryesore, por jo edhe përmbajtja.
Ndërkohë, “Radio Evropa e Lirë”, raporton se ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet në mes të Prishtinës e Beogradit, Robert Cooper, do të qëndrojë të martën në Kosovë.
"Po, ai do të qëndrojë atje për të përgatitur raundin e ardhshëm të dialogut", ka thënë Kocijancic për Rel.
Gjatë javëve të kaluara, Cooper kishte vazhduar kontaktet me delegacionin kosovar dhe atë serb për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët rreth bashkëpunimit rajonal, përkatësisht rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale.
Beogradi zyrtar vazhdon të insistojë që Kosova të përfaqësohet nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa autoritetet kosovare kanë këmbëngulur, deri më tani, në përfaqësimin si shtet i pavarur.