Mustafa për SHIK-un: Gjaku të zë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është rikthyer kritikave dhe akuzave për SHIK-un, duke e cilësuar atë një organizatë kriminale të financuar nga struktura të dyshimta dhe jo llogaridhënëse.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai tha se të gjithë ata që kanë kryer veprime kriminale duhet të përgjigjen para ligjit.
Në pyetjen se a po i hapin dosjet e tyre zyrtarët e SHIK-ut për konflikte personale e politike, përgjigjen Mustafa e ndërlidhi me një thënie popullore.
“Një fjalë e popullit thotë: Gjaku të zë”, ka thënë ai.
“Si duket disa nga ata kanë bërë veprime të rënda ndaj popullit, dhe këto veprime nuk i lënë të qetë. Çdonjëri duhet të përgjigjet nëse me veprime ka dëmtuar të tjerët. Është fjala këtu për një organizatë ilegale, e cila ka vepruar ilegalisht, është financuar ilegalisht dhe nuk ka pasur kontroll të institucioneve legjitime për veprimet e saj. Çfarë kanë bërë, e dinë ata. Por, nëse dikush nga ata ka kryer veprime kriminale, duhet të përgjigjet para ligjit”.