Roma ka konfirmuar se Francesco Totti ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare që do ta mbajë atë në Olimpico deri në vitin 2016. 36 vjeçari kishte një kontratë që skadonte në fund të këtij sezoni dhe pas shumë diskutimeve, klubi nga kryeqyteti italian vendosi të mbajë në ekip legjendën dhe gjithçka u finalizua gjatë të premtës. “Unë kam edhe dy vite përgjegjësi para vetes dhe jam i sigurt se mund të arrijmë gjëra të mira së bashku. Unë dua të falënderoj presidentin për kontratën. Të gjithë kanë dashur që kjo të ndodhë, edhe unë edhe klubi”, ka theksuar Totti në një konferencë për shtyp. Toti u pensionua nga kombëtarja në vitin 2006, por forma e tij e jashtëzakonshme e treguar sezonin e fundit ka ngritur zëra se ai mund të rikthehet në kombëtare dhe Totti e la këtë mundësi të hapur për të ardhmen nëse ftohet për Botërorin 2014. Totti debutoi me Romën në vitin 1992 dhe ka fituar Scudetton, Superkupën e Italisë dy herë dhe tri herë Kupën e Italisë në 21 vitet e qëndrimit të tij në klub.