Në bazë të marrëveshjes së arritur në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Asociacioni i Universiteteve Evropiane (EUA) ka certifikuar sot 73 diploma universitare, të lëshuara në Kosovë.
"Certifikimi i sotëm i 73 diplomave të para universitare është i mirëpritur. Kjo mundëson që këta të rinj të shfrytëzojnë diplomat e tyre universitare për të vijuar studimet ose për të kërkuar punësim në Serbi, si kudo tjetër në Evropë. Kjo përmirëson mënyrën e jetesës së qytetarëve, duke e sjellë kështu praktikën serbe më afër normave evropiane. Kjo plotëson dy prej objektivave për të cilat është zhvilluar dialogu, megjithëse në një mënyrë modeste", ka thënë Robert Cooper, lehtësuesi i BE-së në dialogun Kosovë –Serbi, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë.
Certifikimi është bërë përmes një komisioni ekspertësh akademikë të EUA-së, të cilët kanë verifikuar që diplomat universitare janë dhënë me korrektësi nga institucionet e autorizuara dhe në përputhshmëri me praktikën më të mirë evropiane.
“Këto diploma të certifikuara do të trajtohen në Serbi në të njëjtën mënyrë sikur diplomat e tjera të lëshuara jashtë Serbisë. Në fakt, kjo nënkupton se të diplomuarit të cilët dëshirojnë të vijojnë më tutje programe edukative dhe/ose të kërkojnë punësim në administratë publike në Serbi mund t’i dorëzojnë diplomat e tyre, bashkë me certifikatën e EUA-së në universitetin e tyre të zgjedhur ose institucionin përkatës. Universiteti në fjalë pastaj do të japë një konfirmim për pranimin. Me këtë konfirmim, të diplomuarit mund ose të regjistrohen në programe akademike, ose të aplikojnë për një pozitë në administratë publike”, thuhet në kumtesë.