Thaçi, ministrave: Kuçi do të rikthehet

Hajredin Kuçi vetëm përkohshëm do të jetë jashtë ekzekutivit. Ai do të rikthehet për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar sapo të hiqen nga Kodi Penal dy nenet kontestuese për mediat.

Burime të “Kohës Ditore” kanë thënë të shtunën se ai do të rikthehet, për t’u bërë pjesë e Kabinetit qeveritar, sapo Kuvendi të heqë nga Kodi Penal dy nenet kontestuese për mediat, shkaku i moslargimit të të cilave ai ka ofruar dorëheqjen një ditë më parë.
Mirëpo, vetëm pak kohë pas votimit në Kuvend dhe ofrimit të dorëheqjes së zëvendëskryeministrit, Qeveria ka proceduar në Kuvend një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit, konform kërkesës së Kuçit që nenet të hiqen.
Në pjesën e parë të mbledhjes së Qeverisë, kur medieve nuk iu krijohet qasje, kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi, kishte dhënë një arsyetim për reflektimin e menjëhershëm. Kishte paralajmëruar edhe rikthimin e Kuçit.
“Kryeministri tha se Kodi fillimisht ishte proceduar me ato dy nene, 37 38, sepse edhe vetë ndërkombëtarët ishin pajtuar me këtë. Ai tregoi se më vonë ndërkombëtarët kishin ndërruar fjalët dhe pas tërheqjes së tyre, tha se as ne nuk insistojmë që nenet të mbesin”, ka cituar një ministër zëvendëskryeministrin.
“Ai na tha se nenet do të hiqen dhe Kuçi do të kthehet”.