Serbia nuk e ndal financimin e strukturave paralele

Ministri në largim në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic ka deklaruar se Serbia nuk mund të ndalë financimin e institucioneve të saj në veri të Kosovës, derisa nuk përfundojnë bisedimet mbi statusin politik të veriut.

“Derisa nuk përfundojnë bisedimet serioze mbi statusin politik të veriut të Kosovës, shteti nuk mund të ndalë mbështetjen financiare të institucioneve tona”, ka thënë Bogdanovic për “Vecernje Novosti.”
Ai ka thënë se Serbia është e gatshme për dialog dhe zgjidhje kompromisi, por, jo edhe për përmbushjen e kushteve, të cilat bien ndesh me interesat kombëtare.
“Nuk është fshehtësi se ekziston presion që të shuhen institucionet tona në veri dhe që shteti të ndalë së financuari atë pjesë të territorit shtetëror. As ky kusht nuk është i ri, veç se bëhet me interpretim të ndryshëm, dhe ka ekzistuar edhe para shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Bogdanovic.
Veriu i Kosovës vazhdon të mos i nënshtrohet autoritetit të Prishtinës derisa kontrollohet nga strukturat paralele që i financon Beogradi zyrtar.
Zyrtarë të shteteve të fuqishme perëndimore i kanë kërkuar Serbisë shuarjen e këtyre strukturave paralele.