Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në seancën e së enjtes kanë “tradhtuar” bashkëpartiakun e tyre, Bahri Hyseni, i cili ka qenë njëri nga kandidatët për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Për ish-deputetin e PDK-së dhe njërin nga anëtarët e devotshëm të këtij subjekti politik, deputetët e partisë së kryeministrit, Hashim Thaçi, nuk janë treguar dorëlirë, duke ia pamundësuar atij që të bëhet njëri nga gjykatësit e Kushtetueses, shkruan “Zëri”.
Gjatë procesit të fshehtë të votimit, ai ka marrë votat e nevojshme në raundin e parë, duke vazhduar kështu në të dytin, por 63 vota sa ka marrë në raundin e dytë kanë qenë të pakta që ai të kalojë në të tretin. Ndërsa, e kundërta ka ndodhur me kandidaten Arta Rama-Hajrizi e cila ka marrë 71 vota.
Burime të besueshme brenda PDK-së kanë thënë se ka qenë kryeministri Thaçi ai që ka penguar ardhjen e Hysenit dhe e ka favorizuar kandidaten Rama-Hajrizi.
“Hyseni i takon krahut të Jakup Krasniqit. Problemi është se Thaçi është frikësuar që nëse zgjidhet gjykatës i Gjykatës Kushtetuese, Hyseni nuk do ta dëgjojë, por do të punojë për Jakup Krasniqin”, ka thënë burimi.
PDK “tradhton” Bahri Hysenin
10:12
Liridon