Nikolic premton vazhdimin e dialogut me Kosovën

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ia ka bërë të ditur presidentit serb Tomisllav Nikolicit se Washingtoni është i interesuar që Serbia të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.

Ajo ka kërkuar që Serbia të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe të çështjet të zgjidhet me dialog, raportojnë mediat serbe.
Sipas këtyre mediave, Nikolic ka thënë se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Prishtinën në kuadër të stabilizimit të situatës në rajon.
Gjithashtu Nikolic ka kërkuar nga Clinton, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të investojnë në Serbi.
Kurse në Beograd, shefi i ekipit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, ka deklaruar se qeveria e re duhet ta vazhdojë dialogun me Prishtinën.
Stefanovic ka deklaruar se Qeveria e re e Serbisë është e obliguar t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e deritashme.
“Problem serioz është çështja e pazgjidhur e autotargave, liria e lëvizjes dhe përfaqësimi rajonal i Kosovës, gjegjësisht pyetja se a do të gjendet fusnota në tabelë apo jo”, ka thënë Stefanovic.
Ai ka vlerësuar se ekipi i ri i qeverisë për bisedime me Prishtinën do të ketë detyrë të vështirë, por beson se do të arrijë rezultat të mirë.