MPB: Raporti i Departamenti amerikan për Kosovën objektiv

Ministria e Punëve të Brendshme e ka vlerësuar objektiv raportin e Departamentit amerikan të shtetit për trafikim me qenie njerëzore në Kosovë, që thotë se vendi është burim, destinacion dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Sasa Rasic ka mbajtur në konferencë për media lidhur me këtë çështje.
“Ministria e Punëve të Brendshme e mirëpret raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili është publikuar dje, lidhur me situatën në Kosovë, sa i përket luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore. Raporti është objektiv dhe ka gjëra të cilat mund të përmirësohen dhe disa veç janë përmirësuar që nga dita e përpilimit, deri në ditën e shpalljes së raportit”, ka thënë zv/ministri.
“Ne kemi arritur të analizojmë mirë raportin dhe mund të ju them se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. Jemi të vendosur që me të gjitha forcat dhe mjetet në mënyrë institucionale të luftojmë kundër kësaj dukurie, e cila drejtpërsëdrejti cenon dinjitetin njerëzor”, tha zëvendësministri Rasic.
Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Sasa Rasic, tha se qëllimi Qeverisë së Kosovës është që t’i mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që vendi të jetë i sigurt.
Kosova është gjithnjë burim, vend transit i mundshëm dhe destinim i trafikimit me qenie njerëzore. Numri më i madh i viktimave të trafikimit në Kosovë janë viktima me qëllim të eksploatimit seksual, por gjithashtu dhe eksploatimit në punë, por është edhe një dukuri që po vërehet kohëve të fundit, ajo e fëmijëve që kërkojë lëmoshë.
“Ne kemi bazën ligjore, ku ekzistojnë dokumente strategjike dhe operative dhe ne merremi me aktivitete të përditshme duke u përpjekur t’i përmbushim objektivat tona të parapërcaktuara. Do të vazhdojmë me gjitha kapacitetet tona të cilat gjithnjë e më tepër jemi duke i forcuar. Në këtë aspekt ekziston edhe dimensioni politik, sepse lufta kundër kësaj forme të krimit të organizuar ndërlidhet edhe me integrimet evropiane, liberalizimin e vizave etj”, theksoi Rasic.
Zëvendësministri Rasic tha se Qeveria e Kosovës ka arritur që të përmbush të gjitha standardet, por janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që kjo të reflektohet edhe në këtë raport.
Ai tha se ajo që deri diku është negative në raport është procedimi i lëndëve të atyre që janë të përfshirë në trafikim, si kryes të veprës dhe të përshirë në vepra penale që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore.
Ndryshe, raporti i Departamentit amerikan të shtetit, në pjesën kushtuar Kosovës thotë se vendi është burim, destinacion dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.