Brenda javës zgjidhet çështja e çimentos

Presionet e mëdha për shfuqizimin e vendimit për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet, kanë shtyrë Ministrinë e Tregtisë të përshpejtojë procedurat për heqjen e këtij vendimi. Ky vendim përfundimisht do të hiqet deri në fund të kësaj jave.

Një paralajmërim të tillë e ka lëshuar edhe kryeministri Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. “Flas me besim të plotë se çështja e taksës për çimento do të jetë çështje e tejkaluar”, ka thënë kryeministri Thaçi pas takimit me kryeministrin Sali Berisha në Tiranë.
Para se kryeministri të lëshonte këtë deklaratë, burimet e gazetës brenda Ministrisë së Tregtisë kanë pohuar se çështja e taksës për çimento do të zgjidhet përfundimisht brenda kësaj jave, duke mos ditur ende se si do të jetë epilogu i zgjidhjes së këtij problemi.
Të martën pritet të mbahet debati publik, të mërkurën do të ketë takime me përfaqësuesit nga Shqipëria dhe me importues të tjerë të çimentos, dhe në fund të javës do të hiqen masat e përkohshme. “Deri të premten do të hiqet masa e përkohshme”, pohoi një zyrtarë i lartë i MTI-së, shkruan “Koha Ditore”