Në kohën kur Bashkimi Evropian kërkon nga Qeveria e Kosovës një agjendë për veriun, Zyra e koordinatorit për strategjinë për veriun ka pushuar së funksionuari. Janë bërë disa javë prej kur Ylber Hysa është emëruar ambasador në Shkup dhe Qeveria ende nuk e ka bërë zëvendësimin e tij. Nevoja për një koordinator të tillë vihet në pikëpyetje jo vetëm nga opozita, por madje edhe brenda vetë Qeverisë.
Çështja e emërimit të koordinatorit të ri për strategjinë për veriun është në dorën e kryeministrit Hashim Thaçi. Kështu tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i pyetur se kur do të emërohet koordinatori i ri në vend të Ylber Hysës. Kuçi theksoi se Qeveria do të gjejë format adekuate për t’u marrë me veriun.
“Unë besoj se është në dorën e kryeministrit si mendon, por ajo çfarë dua të them është se Kosova dëshiron që mos ta specifikojë veriun si dicka të veçantë, por si pjesë e çështjeve që ne duhet të merremi të gjithë. Qeveria do të merret vazhdimisht me pjesën e veriut. Format do t’i gjejë adekuate se si do të merret”, theksoi Kuçi për Radio Kosovën.
Por, jo të gjithë në Qeveri mendojnë se ka nevojë për koordinator të ri. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka mendon ndryshe.
“Nuk besoj që duhet të ketë individë të veçantë, por të jemi si Qeveri prezent atje”, tha Zeka.
I të njëjtit mendim është edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
“Unë mendoj që edhe ai koordinator që ka qenë nuk ka luajtur një rol efektiv, përkundrazi ka qenë vetëm një makiazh politik për një moment të caktuar. Kështu që në vend të koordinatorëve, Qeveria duhet të jetë e përgjegjshme në përputhje me obligimet që i jep Kushtetuta”, theksoi Selimi.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, mendon se duhet patjetër të ketë një koordinator për veriun.
“Patjetër që duhet të jetë dikush në mesin e shumë të tjerëve që ekskluzivisht të merret me çështjen e implementimit të planeve të veprimit dhe implementimit të ligjeve për veriun. Pra, mund të themi pavarësisht emrit, por duhet të ekzistojë dikush”, tha Ferati.
Ferati ka qenë një prej emrave që janë përmendur më herët për detyrën e koordinatorit për veriun. Ai tha se nuk i është drejtuar askush deri më tani për një gjë të tillë, përveç asaj që është thënë në media. Sidoqoftë, ai tha se një obligim të tillë duhet ta marrë patjetër dikush nga koalicioni Qeverisës.
Pas emërimit të Ylber Hysës ambasador në Shkup, ka përfunduar së funksionuari edhe Zyra e Koordinatorit, ndërkaq dy prej aktiviteteve kryesore që përmenden nga kjo zyre janë raporti i administratës së UNMIK-ut në Mitrovicë dhe raporti i strukturave paralele në këtë pjesë të Kosovës