U shënua 100-vjetori i Kuvendit të Junikut

Me një manifestim qendror në Junik të hënën u shënua 100-vjetori i të ngjarjes së rëndësishme historike, i njohur si Kuvendi i Junikut. Aktivitetet janë mbajtur nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku, përveç kreu të ekzekutivit, morën pjesë edhe presidentja e vendit, Atifete Jajhaga, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, përfaqësues të institucioneve të tjera nga Kosova e nga Qeveria e Shqipërisë, anëtarë të familjeve Jashari, Lladrovci, Haradinaj etj.

“Sot si kurrë ndonjëherë, shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion më të mirë, edhe politik, edhe kombëtar, edhe të orientimit euro-atlantik. Shqipëria është anëtare e NATO-s 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Kosova e pavarur, në rrugë të sigurt për të ardhme evropiane dhe anëtare e NATO-s. Kemi besim të plotë se do të ndalet edhe diskriminimi ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Ndërsa Kosova mirëpret çdo deklarim të lirë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për të ardhmen e vetë. Prandaj shqiptarët do të jetojnë të lirë, në frymë evropiane, në frymë euro-atlantike, në një hapësirë të përbashkët, me kufij të hapur, në të ardhmen evropiane”, tha kryeministri Hashim Thaçi, në manifestimin e organizuar në shënimin e 100 vjetorit të Kuvendit të Junikut.
Edhe presidentja Jahjaga, kreu i Junikut Agron Kuçi dhe oratorë të tjerë kanë vlerësuar lartë gjithë veprimtarinë atdhetare dhe sakrificën e periudhës.
Kuvendi i Junikut, në vitin 1912 me programin e tij kombëtar, ndikoi në zgjerimin e kryengritjes në viset e tjera dhe në shtimin e radhëve të saj me mijëra luftëtarë.