Nesër verdikti për rastin “Kleçka”

Nesër pritet që trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të marrë vendim për rastin “Kleçka”, në procesin gjyqësor ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.

Mbrojtja e të akuzuarve ka shprehur bindjen se vendimi i nesërm i trupit gjykues do të jetë lirues për katër të pandehurit, pasi që ata mendojnë se nuk ka bazë në këtë lëndë, e cila do ta shtynte trupin gjykues të merrte ndonjë vendim tjetër pos atij për lirimin e tyre, transmeton Express.
Ndaj katër të akuzuarve për krime lufte, i njohur si rasti “Kleçka”, trupi gjykues kishte vendosur kohë më parë që të vazhdonte gjykimi, me arsyetimin se ata gjatë kohës për të cilën akuzohen, kanë pasur pozita komanduese.
Pas vendimit për vazhdim të gjykimit ndaj tyre, prokurori dhe mbrojtja e këtij rasti kishin vendosur që dëshmitë e mbetura në lëndë të konsiderohen si të lexuara, dhe në këtë mënyra ta shmangin një seancë të dytë të shqyrtimit gjyqësor.
Për më tepër, trupi gjykues, kohë më parë, ka marrë vendim që dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”, të jenë të papranueshme duke i veçuar nga shkresat e lëndës.
Mbi bazën e kësaj, mbrojtja shpreh bindjen se vendimi i nesërm do të jetë lirues për katër të pandehurit të mbetur për gjykim në këtë rast, pasi që mbrojtja ka thënë se prokurori ato dëshmi i ka konsideruar si bosht të lëndës.
Sipas orarit të seancave të EULEX-it, seanca e radhës pritet të mbahet nesër në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, prej orës 10:00.