Mustafa mbështet kritikat e Thaçit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka dhënë mbështetje kritikave që kryeministri i vendit Hashim Thaçi, ka bërë ditëve të fundit në lidhje me qasjen e Bashkimit Evropian për proceset integruese të vendit.

“Po është e vërtetë që Bashkimi Evropian duhet të ketë parasysh fazën, në të cilën ka kaluar Kosova dhe mendoj që duhet të jetë më tolerant në aspektin e integrimit të saj në mekanizmat evropian”, ka thënë Mustafa, të dielën, gjatë një tubimi të LDK-së në qytetin e Deçanit, transmeton Kosovapress.
Sipas tij, Kosova meriton të integrohet në strukturat evropiane si çdo vend tjetër në rajon dhe për këtë është pajtuar me kërkesën e Kryeministrit ndaj Brukselit.
Ditë më parë, kryeministri Thaçi deklaroi se, me qasjen aktuale, Brukseli po e mban gjallë industrinë e konflikteve në Ballkan.