Kosova pajtohet, Serbia s’ia pranon nënshkrimin

Dialogu teknik mes Edita Tahirit dhe Borislav Stefanovicit, ndonëse ishte “në pauzë”, ka prodhuar një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Atë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Marrëveshja është ndërmjetësuar me Bashkimin Evropian dhe është diskutuar me OSBE-në vetëm pas arritjes së saj. Ndërmjetësues kanë qenë bashkëpunëtorët e ndërmjetësit të dialogut teknik, Robert Cooper, njofton “Koha Ditore".
Zyrtarë të lartë evropianë kanë shpjeguar për gazetën se vetë ndërmjetësi i dialogut teknik, Robert Cooper, ka qenë i informuar për detajet e marrëveshjes, por nuk ka qenë ndërmjetës personalisht në çdo takim, për shkak të angazhimit të tij në një mision.
Megjithatë, marrëveshja e nënshkruar nuk e përmban Kosovën si palë, për shkak se Serbia nuk pranon që të nënshkruhet aty ku nënshkruhet Kosova. Dokumenti është nënshkruar vetëm nga Serbia dhe OSBE-ja, dhe në të thuhet se OSBE-ja ka mbështetjen e autoriteteve të Kosovës.
Zyrtarët evropianë e kanë quajtur edhe marrëveshjen që do t`i mundësojë OSBE-së të organizojë zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë në Kosovë si marrëveshje teknik.