KEK, raporti i auditorit pa asnjë vërejtje

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se për herë të parë në historinë e tij ka pranuar një raport të auditorit të pavarur pa kurrfarë kualifikimi, sa i përket pasqyrave financiare të vitit 2011.

Në opinionin e auditorit të pavarur, Grant Thornton, " pasqyrat financiare (të KEK-ut) paraqesin saktë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të Kompanisë deri më 31 dhjetor 2011, si dhe performancën e tij financiare dhe rrjedhën e parasë për vitin që kaloi, në përputhshmëri me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar".
Raporti i auditorit, thekson që Pasqyra e Pozicionit Financiar (“Bilanci i Gjendjes”), Pasqyra e Të Hyrave të Përgjithshme (“Pasqyra e Të Hyrave”) dhe Pasqyra e Rrjedhës së Parasë, i plotësojnë të gjitha kërkesat e Standardeve Ndërkombëtare për Raportim Financiar. Raporti thekson po ashtu se KEK-u ka pasur rritje të aseteve, të fitimit dhe likuiditetit.
“Raporti i pakualifikuar i auditorit për KEK-un paraqet një përmirësim të dukshëm të cilin KEK-u e ka bërë gjatë viteve në fushën e regjistrimit dhe raportimit financiar, përfshirë këtu përmirësimin e sistemeve të kompjuterizuara të kontabilitetit, zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve të kontrollit të brendshëm të kompanisë dhe përsosmërinë e politikave dhe procedurave të kontabilitetit, në përpjekje për të plotësuar praktikat më të mira ndërkombëtare”, është thënë në komunikatën e KEK-ut për media.
Ky përmirësim i raportimit financiar të KEK-ut është pjesë e përmirësimit të përgjithshëm në vazhdimësi që KEK-u ka bërë për të qenë një entitet afarist.