Dihen disa nga kandidatët për kryetar të Kaçanikut

Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë i kanë bërë publike emrat e kandidatëve për kryetar të Kaçanikut. Partia Demokratike nuk ka vendosur ende, Vetëvendosja e anuloi paralajmërimin që sot do ta bëjë publik kandidatin, kurse, AKR-ja, pritet të vendos nëse do ta garojë me kandidat të vetin, apo jo.

Në media është përmendur emri i Besim Ilazit si kandidat i PDK-së për Kaçanikun, por zyrtarët e kësaj partie pa dashur ta komentojnë, kanë thënë se ende nuk dihet saktësisht.
Ndërkohë, LDK-ja edhe pse nuk e ka publikuar zyrtarisht, përmes zëdhënësit të saj Fidan Jupolli, ia konfirmoi se kandidati i saj do të jetë Sahit Bela.
“Kandidati ynë zyrtar për zgjedhje të parakohshme në Kaçanik është inxhinieri Sahit Bela, është anëtar i kryesisë së LDK-së dega në Kaçanik. Jemi të sigurtë në fitoren e kandidatit tonë, shpresojmë se edhe qytetarët e Kaçanikut do të dalin masovikisht të votojnë dhe ta pranojnë si alternativën e vetme kandidatin e LDK-së”, tha Jupolli, për Radio Kosovën.
Ndërsa, AAK-ja në një konferencë për media ka bërë të ditur se në Kaçanik do të garojë me Tahir Çakën. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi tha se Çaka e ka mbështetjen e strukturave më të larta të partisë. Ndërsa vetë Çaka tha se shumëçka është në anën tij në këtë garë për të parin e komunës.
“E kam përvojën, bagazhin politik, ekonomik, patriotik dhe qytetari i Kaçanikut është shumë i bindur se me Tahir Çakën mund të shkojë komuna përpara”, tha ai.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar për sot prezantimin e kandidatit të saj, por e anuloi për shkak të ngjarjes tragjike në Himarë. Sidoqoftë, është raportuar se Vetëvendosje do të garojë me Shukri Lutën.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Aleancës Kosova e Re kanë mohuar raportimin në media se kandidat i kësaj partie do të jetë Naser Troni. Shefja e Grupit Parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani tha se Troni është tërhequr, ndërsa la të hapur mundësinë që AKR-ja mos të dalë me kandidat të vetin.
“Sot pritet që definitivisht të dihet a do të dalë AKR-ja me një kandidat të vetin apo s’do të dalë për zgjedhjet në Kaçanik, por do të jetë në kompetencat e degës së Kaçanikut kë duan ata ta kandidojnë”, tha Selmani.
E para që e ka bërë publik emrin e kandidatit për Kaçaniku, është Lidhja Demokratike e Dardanisë, e cila do të garojë me kryetaren e degës, Elife Murseli.
Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kaçanik mbahen pas largimit të Xhabir Zharkut nga ky post.
Gjykata Supreme ditë më parë vërtetoi aktgjykimin Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për fajësinë e Zharkut për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës. Ai ishte dënuar me tri vjet burg dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 euro për akuzën e posedimit të paligjshëm të armës.