Pavarësisht emërimit dhe riemërimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i lartë në gjykatat e Kosovës. Janë rreth 213 mijë lëndë të pazgjidhura që presin nëpër sirtarët e gjykatave.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, ka thënë për KosovaPress se kjo gjendje është pasojë e mungesës së gjyqtarëve. Për më tepër, ai ka shtuar se numri më i madh i rasteve të grumbulluara nëpër gjykata janë lëndë të ekzekutimeve dhe në këtë drejtim “gjykatat janë duke u përballur me një situatë të pakëndshme, sa i përket besimit të qytetarëve”.
“Numri i lëndëve është duke u grumbulluar. Faktikisht, lëndët pas viti 2008, 2009, 2010, 2011, kanë mbetur, pa u proceduar, sepse me këtë numër të gjyqtarëve nuk kemi arritur t’i procedojmë me kohë dhe ashtu qysh kërkon edhe procedura”, ka thënë Peci.
Sipas tij, numri më i madh i lëndëve të grumbulluara është nëpër gjykatat komunale, ndërsa shkaqet dhe arsyet, siç thotë ai, janë të natyrave të ndryshme.
“Gjykatat e rregullta të Kosovës gjatë vitit 2011 kanë pasur në punë 295 mijë 842 lëndë, ndërkaq nga kjo shifër, 209 mijë e 448 lëndë kanë qenë të trashëguara. Nga shifra e përgjithshme që ka qenë 295 mijë 842 lëndë, gjyqësori i Kosovës gjatë vitit 2011 ka arritur t’i zgjidh vetëm 82 mijë 805 lëndë. Kurse, mbetur për t’u zgjidhur në vitin vijues edhe 213 mijë e 37 lëndë”, ka thënë Peci.
Ai konsideron se kjo problematik me lëndët e vjetra vjen edhe si rezultat i abuzimeve dhe keqpërdorimeve të detyrës nga ana e gjyqtarëve.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, thekson se ministria që ai drejton është duke punuar për krijimin e infrastrukturës, por, sipas tij, “nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të gjyqësorit”.