Tripin në Shqipëri që e kanë realizuar gratë e Zyrës së Kryeministrit (ZKM) për 8 Mars, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e ka “përligjur” si “vizitë zyrtare”, duke e bërë secilën prej këtyre grave përfituese të tri mëditjeve për kokë, ndonëse ato vetëm kanë shëtitur.
Kabineti i saj mëton t’ia gjuajë dikujt tjetër këtë mëkat, raporton Koha Ditore.
Visar Xani, zëdhënës i Tahirt ka pranuar se Edita Tahiri kishte firmosur një kërkesë që gratë e ZKM-së të vizitonin Shqipërinë për 8 Mars. Xani ka thënë se vendimi i Tahirit është konform një vendimi të mëhershëm të kryeministrit dhe të kërkesës së sekretarit të përgjithshëm të ZKM-së, për lejimin e saj.
ZKM-ja ka përgënjeshtruar Xanin dhe ka premtuar se të hënën do t’i publikojë shkresat.
Një burim brenda ZKM-së i ka thënë gazetës se ka qenë pikërisht sekretari që ka refuzuar të nënshkruante një shëtitje që i ishte kërkuar. Kjo ngaqë “vizitat turistike” nuk do të mund të kualifikoheshin si “vizita zyrtare”.