Mustafa: LDK është e vetmja parti me integritet

LDK-ja pavarësinë dhe sovranitetin e vendit në tërë territorin e saj e konsideron të përfunduar dhe që nuk mund të negociohet me të tjerët, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në Kuvendin Punues të LDK-së.

“Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, veçmas në disa komuna me shumicë serbe në veri të vendit, janë sfida për forcimin e pavarësisë dhe të shtetndërtimit. LDK-ja angazhohet për zgjidhjen me dialog të problemeve me fqinjët, pa e prekur sistemin kushtetues, rregullimin e brendshëm dhe kufijtë, duke ofruar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve e jo qytetarët në shërbim të politikës. Ndërsa, partia e cila do të udhëheqë Kosovën në Evropë, thotë Mustafa, duhet të ketë integritet.
“Vetëm LDK-ja ka dëshmuar se ka eksperiencë dhe integritet të bëjë Kosovën një vend të barabartë me vendet e tjera Evropiane. LDK-ja ka integritet të luftojë korrupsionin dhe të mundësojë që të funksionojë rendi dhe ligji në Kosovë. LDK-ja ka përvojë dhe integritet të sigurojë punë dhe ekonomi stabile; të sigurojë që qeverisja ekonomike do të realizohet në harmoni me modelin evropian të ekonomisë sociale të tregut, si koncept i partive të qendrës së djathtë”, ka thënë Mustafa.