Komisioni për amendamentimin e ligjit për zgjedhjet nuk i është dashur shumë kohë që të kryej punë në mbledhjen e sotme, ngase përnjëherë i ka miratuar të gjitha amendamentet e propozuara nga ana e grupit punues për draftimin e ligjit të ri të zgjedhjeve.
Kryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Haki Demolli tha se janë mbi 100 amendamente të ligjit ekzistues, por të cilat do të shndërrohen në dispozita të draftligjit të ri për zgjedhjet.
“Të gjitha amendamentet e propozuara nga ana e grupit draftues janë aprovuar. Ato amendamente do t’i përcillen grupit draftues në mënyrë që ato t’i inkorporojë në vendet adekuate në draftligjin i cili është duke u përgatitur”, tha Demolli, raporton RTK.
Por, kjo mënyrë e punës nuk i ka pëlqyer përfaqësueses së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision, Albulena Haxhiut. Ajo u largua në mënyrë demonstrative nga mbledhja. Jashtë mbledhjes tha se ashtu siç është formuar komisioni për reformën zgjedhore, pa bazë ligjore, pa transparencë, ashtu edhe po vazhdon, pa seriozitet.
Ndër çështjet që prekin nenet e miratuara në mbledhjen e sotme, sipas kryetarit të komisionit, Haki Demolli, janë edhe shkurtimi i fushatës zgjedhore nga 30 në 20 ditë, sanksionimi që posterët që vendosen gjatë fushatës, të hiqen në afat prej 10 ditësh pas përfundimit të fushatës dhe çështje të tjera.
Ndërsa sa i përket çështjeve më të rëndësishme të zgjedhjeve, siç është ndarja në zona, listat e hapura apo të mbyllura dhe pragu zgjedhor, sipas Demollit, Komisioni për reformën zgjedhore pritet së shpejti të takohet me drejtuesit e subjekteve politike